7.5 C
Tirana
Wednesday, December 1, 2021
Ballina Kuriozitete Zbardhet ditari i Enver Hoxhës: Disa nga profesorët tanë që kanë mbajtur...

Zbardhet ditari i Enver Hoxhës: Disa nga profesorët tanë që kanë mbajtur leksione në Universitetin e Prishtinës dhe një grup i TV shqiptar të bëjnë…

- Advertisement -

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), ku ndodhet ditari politik i Enver Hoxhës në periudhën mars-maj 1981, kohë kur filluan demonstratat dhe protestat masive të popullit të Kosovës, i cili u ngrit për të kërkuar të drejtat dhe liritë e tij legjitime, ashtu siç i kishin dhe i gëzonin edhe kombësitë dhe kombet e tjera që përbënin Republikën Federative të Jugosllavisë. I gjithë ditari politik i udhëheqësit kryesorë të Shqipërisë komuniste, ku ai dhe Tirana zyrtare e asaj kohe, i ndoqën me vëmendje ngjarjet e Kosovës dhe u prononcuan hapur publikisht, duke dalë hapur në mbrojtje të vëllezërve tanë kosovarë përtej kufirit që jetonin prej shekujsh në trojet e tyre etnike, të cilët u ngritën për të kërkuar të drejtat dhe liritë e tyre legjitime ashtu siç i kishin dhe gëzonin edhe kombësitë dhe kombet e tjera të Jugosllavisë së asaj kohe, dhe duke akuzuar Beogradin zyrtar për politikën diskriminuese që kishte ndjekur regjimi titist deri në atë kohë ndaj Kosovës dhe gjithë popullsisë shqiptare që jetonte nën Jugosllavi, dhe gjithashtu duke akuzuar edhe udhëheqjen e Kosovës si “pro-titiste”, dhe “të shitur tek udhëheqja e Beogradit”. Por ndryshe nga sa thoshte me fjalë, nuk e bëri kurrë me vepra dhe qëndrimi që mbajti Tirana zyrtare ndaj ngjarjeve të Kosovës në pranverën e ’81-it, duket se ishin thjesht sa për fasadë dhe vetëm për konsum publik në arendën ndërkombëtare, pasi regjimi komunist i Enver Hoxhës që nga viti 1949 kur Tirana zyrtare i prishi marrëdhëniet me Jugosllavinë e Marshallit Tito, e deri në fundin e viteve ’80-të, ndaj kosovarëve që vinin në Shqipëri për t’i shpëtuar përndjekjeve të regjimit titist, ndoqi një politikë edhe më të egër ndaj tyre, duke i burgosur, torturuar dhe internuar, me akuzat shabllone “agjentë të UDB-së”!

“Ne duhet të bëjmë, gjithashtu, një analizë edhe të qëndrimeve që kanë mbajtur kancelaritë e ndryshme, domethënë të përcaktojmë e të njohim cilët ambasadorë të vendeve të botës, sidomos të vendeve të Evropës e në mënyrë të veçantë të atyre vendeve që kanë ose që mund të kenë influencë mbi qeverinë jugosllave, janë treguar pro nesh, kundër veprimeve të jugosllavëve dhe i kanë dënuar ato. Këtu të mos harrojmë se ka edhe nga ata që janë treguar asnjanës. Deri tani kemi parë se disa gazeta kanë shkruar më realisht në favor të çështjes së popullit të Kosovës dhe të qëndrimit tonë. Të tilla janë disa gazeta e gazetarë të Republikës Federale të Gjermanisë, pra gjermano perëndimorët, pastaj vijnë austriakët. Me Gjermaninë Perëndimore ne nuk kemi as lidhje diplomatike, ndërsa me Austrinë marrëdhëniet janë të mira. Austriakët mbajnë këtë qëndrim, sepse kanë kontradikta për çështje pakicash me jugosllavët, kurse gjermano perëndimorët nuk kanë. Prandaj ne duhet të gjykojmë pse Gjermania Perëndimore mban qëndrim më realist ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe ndaj Shqipërisë, e cila e ka kritikuar kurdoherë dhe është në mosmarrëveshje me të”.

Kështu shkruan në mes të tjerash ish-udhëheqësi kryesor i Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha, në ditarin e tij të datës 18 maj të vitit 1981, duke u fokusuar në ngjarjet e Kosovës që asokohe ishte Krahinë Autonome në përbërje të Republikës Federative të Jugosllavisë, ku vetëm disa muaj pas vdekjes së Marshallit Josof Broz Tito (4 maj 1980), i cili e qeverisi atë vend për gati 35 vite me rradhë që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, në Jugosllavinë që ai la pas, do të fillonin trazirat e brendshme, siç ishin demonstratat e protestat masive të popullit të Kosovës që u ngrit për të kërkuar të drejtat dhe liritë e tij legjitime, ashtu siç i kishin dhe i gëzonin edhe kombësitë dhe kombet e tjera që përbënin Republikën Federative të Jugosllavisë, për të kaluar deri në thirrjet “Kosova Republikë”.

Ashtu siç do t’i shikojmë edhe nga këto dokumenta arkivore ku ndodhet ditari politik i Enver Hoxhës, udhëheqësi kryesorë i Shqipërisë komuniste dhe Tirana zyrtare, i ndoqën me vëmendje ngjarjet e Kosovës dhe u prononcuan publikisht, duke dalë hapur në mbrojtje të vëllezërve tanë kosovarë përtej kufirit që jetonin prej shekujsh në trojet e tyre etnike dhe duke akuzuar Beogradin zyrtar për politikën diskriminuese që kishte ndjekur deri në atë kohë ndaj Kosovës dhe gjithë popullsisë shqiptare që jetonte nën Jugosllavi, dhe gjithashtu duke akuzuar edhe udhëheqjen e Kosovës si “pro-titiste”, dhe “të shitur tek udhëheqja e Beogradit”.

Por ndryshe nga sa thoshte me fjalë, nuk e bëri kurrë me vepra dhe qëndrimi që mbajti Tirana zyrtare ndaj ngjarjeve të Kosovës në pranverën e ’81-it, duket se ishin thjesht sa për fasadë dhe vetëm për konsum publik në arendën ndërkombëtare, pasi regjimi komunist i Enver Hoxhës që nga viti 1949 kur i prishi marrëdhëniet me Jugosllavinë e Marshallit Tito, e deri në fundin e viteve ’80-të, ndaj kosovarëve që vinin në Shqipëri për t’i shpëtuar përndjekjeve të regjimit titist, ndoqi një politikë edhe më të egër ndaj tyre, duke i burgosur, torturuar dhe internuar, me akuzat shabllone “agjentë të UDB-së”!

Po kështu, edhe pse në ngjarjet e pranverës së vitit 1981 e në vijim, Tirana zyrtare në dukje i përkrahu demonstratat e popullit të Kosovës dhe kërkesat e tyre “Kosova Republikë”, Enver Hoxha kurrsesi nuk do të donte që ajo gjë të bëhej realitet, pasi në një farë mënyre, do krijoheshin dy shtete shqiptare, ku Kosova do bëhej faktor dhe Shqipëria nën udhëheqjen e tij, do defaktorizohej në arenën ndërkombëtare. Në këtë kontekst, menjëherë pas atyre ngjarjeve, Tirana zyrtare intesifikoj përndjekjen dhe dhunën ndaj kosovarëve që ishin në Shqipëri, duke arrestuar dhe dënuar me burgime të gjata disa intelektualë kosovarë, si p.sh.: Selim Kelmendin, Estref Kelmendin, Shefqet Kelmendin, Naimk Lucin, etj., të cilët u arrestuan në vitin 1983, duke u akuzuar se: “kishin tentuar t’i bënin atentat udhëheqësit kryesor të Partisë, gjatë vizitës që ai kishte bërë në Muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë në vitin 1980”.

Dhe të gjitha këto, bëheshin për të ulur reputacionin e kosovarëve dhe Kosovës në sytë e shqiptarëve të atdheut amë. Gjithsesi këto mbeten objekt analizash që nuk janë objekt i këtij shkrimi, ku po publikojmë vetëm ditarin politik të Enver Hoxhës, që ai ka mbajtur në atë periudhë kohe, të cilin Memorie.al që nga muaji mars i këtij viti, vijon ta botoj të plotë në disa numra të rubrikës historike dossier.

Ditari politik i Enver Hoxhës për ngjarjet e demonstratave dhe protestave të popullit të Kosovës në pranverën e 1981-it

E MERKURE 13 MAJ 1981

PERSERI MBLEDHJE E BYROSE POLITIKE PER NGJARJET NE KOSOVE

Sot pasdreke thirra një mbledhje të jashtëzakonshme të Byrosë Politike, ku paraqita artikullin e tretë mbi ngjarjet e fundit në Kosovë. Shokët, pasi u lexua artikulli, ishin plotësisht dakord me të dhe e aprovuan njëzëri.

E SHTUNE 16 MAJ 1981

KERKESA PER T’I NJOHUR KOSOVES STATUSIN E REPUBLIKES, ESHTE E DREJTE

Lexova edhe një herë artikullin me titull “Kërkesa për t’ i njohur Kosovës statusin e republikës është e drejtë”. Në këtë artikull ne analizojmë politikisht dhe historikisht qëndrimin reaksionar dhe pa asnjë bazë të udhëheqësve të ndryshëm jugosllavë ndaj ngjarjeve në Kosovë dhe kërkesës së drejtë të kosovarëve për shpalljen e Kosovës republikë. Në fakt edhe pse këto ditë për këtë çështje ata kanë folur vazhdimisht, asnjëri prej tyre nuk ka shpjeguar pse Kosova nuk mund të jetë republikë. Artikulli do të botohet nesër.

E ENJTE 21 MAJ 1981

VEPRIM SHOVINIST DHE OBSKURANTIST I SERBOMEDHENJVE NDAJ LIDHJEVE KULTURORE ME KOSOVEN

Bisedova me Ramizin që një grup nga profesorët tanë, që kanë mbajtur leksione në Universitetin e Prishtinësi dhe një grup nga shokët e Televizionit Shqiptar të shkruajnë nga një artikull të veçantë ku të hedhin poshtë akuzat e serbomëdhenjve jugosllavë, kundër punës që kanë bërë ata në Kosovë. Profesorët dhe pedagogët tanë të vënë në dukje se të gjitha leksionet e tyre kanë pasur karakter e përmbajtje shkencore. Mbajtja e ligjëratave, e kumtesave dhe e referateve të tilla ka qenë shumë e ‘nevojshme dhe praktikë pune në mes institucioneve shkencore e jo më në mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Të flasim për sukseset e arsimit dhe të kulturës në Kosovë, për zotësinë, zgjuarsinë dhe horizontin kulturor të studentëve dhe pedagogëve kosovarë, gjë që është vënë re edhe në simpoziumet dhe në diskutimet akademike që janë bërë në Shqipëri, në Kosovë dhe gjetkë, ku janë dalluar dijetarët kosovarë. Me fjalë të tjera, profesorët tanë të thonë se puna që kanë bërë në Kosovë ka pasur vetëm karakter shkencor dhe jo politik. Jugosllavët e quajnë atë “nacionaliste”, mirë le të lejojnë atëherë “shkencëtarët” sovjetikë, amerikanë dhe anglezë që të mbajnë leksione “jonacionaliste”. Veprimtarinë tonë dhe vlerën e saj e kanë gjykuar studentët dhe pedagogët kosovarë. Kjo është kënaqësia jonë.

Vetëm theksojmë, se vendimi që po merr qeveria jugosllave në këtë çështje, duke i këputur brutalisht këto lidhje, është një veprim që nuk ndodh asgjëkundi në botën e qytetëruar. Është e qartë se kjo bëhet për të lënë në errësirë rininë kosovare. Kjo është një tentativë e kotë shovinizmi dhe obskurantizmi. Shokët e Televizionit, po ashtu, të mbrojnë punën e mirë që kanë bërë përfaqësuesit e tyre në Kosovë dhe të kosovarëve te ne. Asnjë qëllim të mbrapshtë, asnjë paramendim “subversive” nuk ka pasur në këtë punë. Ka pasur vetëm dëshirë për zhvillim kulturor shqiptar nga të dyja anët, një konfirmim të madh të patriotizmit, të këngëve, të valleve, të folklorit tonë të përbashkët.

U kemi kënduar popullit tonë, heronjve tanë të përbashkët, kemi shfaqur ndjenjat tona të përbashkëta dhe asnjëherë nuk kemi fyer ndjenjat e popujve të Jugosllavisë. Këtë zhvillim, këtë bashkëpunim, të aprovuar edhe nga qeveria jugosllave, ata e quajnë nxitje për “nacionalizëm, shovinizëm, irredentizëm”. S’mund të thuhet më qartë se kaq se Serbia nuk do që Kosova të zhvillojë arsimin dhe kulturën e vet, por do që ta serbizojë atë me historitë e Milanëve, Dushanëve, të Brankoviçëve dhe të harrojë Skënderbeun, trimat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Bajram Currin, Isa Boletinin e të tjerë. Për shovinistët serbë t’i këndosh historisë së këtyre është krim, është “romantizëm i sëmurë”, është “të kujtosh fantazmat”.

Të gjitha këto shpifje absurde të hidhen poshtë nga njerëzit e Televizionit tonë, të fliten fjalë të mira për këngëtarët e valltarët e talentuar kosovarë, të cilët duhet ta vazhdojnë dhe ta zhvillojnë traditën, siç po bëjmë edhe ne. Të theksohet se Televizioni Shqiptar nuk do t’i prishë protokollet e nënshkruara, por do t’i vazhdojë dhe do t’i zgjerojë më shumë programet e vendosura. Një ofensivë të këtillë të bëjnë edhe njerëzit tanë të shquar të gjinive të ndryshme të letërsisë, të artit, të kulturës, të teatrit. Të mbahet ngritur vazhdimisht kjo çështje, jo vetëm si polemikë, po në platformën e lartë të artit dhe të kulturës. Kjo punë të bëhet veç asaj që leksionet e referatet që pedagogët e profesorët tanë do të mbanin në Universitetin e Prishtinës, të jepen, siç kam rekomanduar, me anë të emisioneve të posaçme të Radio-Televizionit Shqiptar.

E PREMTE 22 MAJ 1981

DUHET TE PUNOJMË QE OPINIONI PUBLIK NDERKOMBETAR TE JETË NE FAVOR TE ÇESHTJES SE KOSOVES

Po vëmë re se Kë d’Orsejai në përgjithësi nuk po tregohet dashamirëse ndaj çështjes sonë dhe aktualisht nuk po mban qëndrim të paanshëm. Përkundrazi, ajo po favorizon Jugosllavinë. Kjo nuk është në interesin tonë. Por në Francë ne kemi miq si Robert Eskarpiti, që flasin me simpati të madhe e publikisht për Shqipërinë. Dihet se personalitete të tilla me rëndësi si Robert Eskarpiti, ashtu edhe shkrimtarë, publicistë, profesorë të njohur kanë edhe rrethin e tyre. Prandaj Ministria jonë e Punëve të Jashtme, në radhë të parë, duhet të mendojë se si duhet punuar me këto personalitete miq në favor të çështjes sonë. Tani që në fuqi në Francë erdhi Miterani, me siguri do të bëhen ndryshime të mëdha edhe në qeveri.

Ministër i Punëve të Jashtme të Francës, për shembull, mund të bëhet Zhoberi, i cili, me sa di unë, kur ka qenë një herë në këtë post, në kohën e Pjer Mesmerit, ndiqte një politikë me nuanca anti-amerikane dhe pikërisht për këtë arsye dha dorëheqjen dhe iku. Pra, kam përshtypjen se atëherë Zhoberi u tërhoq, pse nuk ishte për një politikë shumë të afishuar proamerikane, por për një pavarësi politike më të theksuar të Francës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ja në këtë drejtim e për këtë çështje Ministria jonë e Punëve të Jashtme duhet t’i japë të dhëna ambasadorit tonë në Paris, ta udhëzojë atë si duhet të bisedohet e çfarë të bisedohet, çfarë lidhjesh duhet të mbajë me personalitete të ndryshme.

Këtu nuk është fjala për receta të gatshme e të shkruara, për të dhënë një darkë apo drekë, por si duhet e çfarë duhet t’u shpjegohet këtyre njerëzve për problemet dhe qëndrimet politike të Qeverisë Shqiptare për çështje të përgjithshme të politikës e të ngjarjeve ndërkombëtare apo të çështjeve konkrete të politikës sonë të jashtme. Domethënë këta persona t’i shohin e t’i kuptojnë qëndrimet dhe veprimet tona politike ashtu siç janë, të drejta, të arsyeshme e parimore e jo rrjedhime të një politike pasionesh, siç duan ta paraqesin disa. Ja, për shembull, të marrim ngjarjet në Kosovë. Për to duhet t’u flitet jo thjesht sa për t’i informuar e për t’i bindur për drejtësinë e qëndrimeve që kemi marrë ne, por, duke pasur parasysh rrethin dhe mundësitë e njërit a tjetrit për të influencuar mbi të tjerët në favorin tonë, t’ua ekspozojmë qëndrimet tona politike dhe ky ekspozim që do t’u bëhet, të ketë frymën e një bashkëbisedimi si në mes kolegësh e miqsh.

Kjo punë ka rëndësi të madhe për ne. Ne nuk duhet të lëmë që përhapja dhe jehona e qëndrimeve tona politike të mbetet vetëm në duart e opinionit gazetaresk, të këtij apo të atij gazetari, të kësaj apo të asaj rryme, por duhet ta përpunojmë këtë opinion dhe t’ia forcojmë bindjen rreth drejtësisë së politikës sonë. Ne, pra, duhet të kemi parasysh një gjë: opinioni jashtë nuk krijohet pa orientime. Janë gënjeshtra ato që thuhen se shtypi atje është i lirë e demokratik. Në demokracinë borgjeze ai është i lirë e demokratik deri në njëfarë shkalle, se në thelb ai orientohet e manipulohet nga dikush dhe jo nga dikush në përgjithësi, por nga dikush në kuptimin konkret. Në demokracinë borgjeze ekzistojnë interesat e grupeve financiare e monopoliste.

Këtyre interesave u konfirmohen e u nënshtrohen si shtypi, ashtu edhe politika e përgjithshme e qeverive borgjeze dhe si rezultat opinioni gazetaresk i konformohet e i shërben politikës së përgjithshme të qeverisë së vendit të vet. Këtë nuk duhet ta harrojmë. Prandaj në këtë drejtim duhet të punojmë e të punojmë seriozisht dhe jo të ecim, siç thotë francezi, “d la lettre dhe d la dërivel”, të themi fjalën tonë, pa le të dalë ku të dalë, më tej nuk na duhet gjë! Jo kështu. Ne jo vetëm duhet ta themi fjalën tonë, por duhet edhe të punojmë që ajo të zërë vend në opinionin publik, ta përpunojmë atë që të na kuptojë drejt e të na mbështetë. Aktualisht janë ngjarjet në Kosovë dhe lidhur me to çështja e vetë Jugosllavisë. Ne kemi ndjekur dhe duhet të ndjekim me vëmendje të veçantë jehonën, përshtypjet që krijojnë ato në qarqet gazetareske në botë e sidomos në Evropë.

Duke u nisur nga fakti se këto qarqe përfaqësojnë opinionin e qeverive të vendeve të tyre, në atë formë që theksova më lart, ne duhet të bëjmë dallimin cila gazetë, cili shtyp është treguar më në favorin tonë, të çështjes sonë të drejtë, domethënë të çështjes së drejtë të popullit të Kosovës dhe të pikëpamjeve që kemi shprehur ne në mbështetje të vëllezërve tanë kosovarë e të kërkesave të tyre. Ne duhet të bëjmë, gjithashtu, një analizë edhe të qëndrimeve që kanë mbajtur kancelaritë e ndryshme, domethënë të përcaktojmë e të njohim cilët ambasadorë të vendeve të botës, sidomos të vendeve të Evropës e në mënyrë të veçantë të atyre vendeve që kanë ose që mund të kenë influencë mbi qeverinë jugosllave, janë treguar pro nesh, kundër veprimeve të jugosllavëve dhe i kanë dënuar ato.

Këtu të mos harrojmë se ka edhe nga ata që janë treguar asnjanës. Deri tani kemi parë se disa gazeta kanë shkruar më realisht në favor të çështjes së popullit të Kosovës dhe të qëndrimit tonë. Të tilla janë disa gazeta e gazetarë të Republikës Federale të Gjermanisë, pra gjermano perëndimorët, pastaj vijnë austriakët. Me Gjermaninë Perëndimore ne nuk kemi as lidhje diplomatike, ndërsa me Austrinë marrëdhëniet janë të mira. Austriakët mbajnë këtë qëndrim, sepse kanë kontradikta për çështje pakicash me jugosllavët, kurse gjermano perëndimorët nuk kanë. Prandaj ne duhet të gjykojmë pse Gjermania Perëndimore mban qëndrim më realist ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe ndaj Shqipërisë, e cila e ka kritikuar kurdoherë dhe është në mosmarrëveshje me të.

Pra, unë mendoj se për çështjen e Kosovës ne duhet t’i interesojmë ata që janë të interesuar, pavarësisht nga ç’arsye nisen, që ajo të zgjidhet në mënyrë të favorshme, domethënë ne duhet t’u japim atyre disa sinjale që të punohet në drejtimin që na intereson neve. Unë kam arritur në këtë mendim dhe them se duhet menduar e gjetur rasti, momenti dhe forma e përshtatshme, se si duhet paraqitur e si duhet vepruar me këtë çështje. Ndoshta duhet të presim edhe ca, ashtu siç bëmë edhe me dy artikujt e parë, që artikulli ynë i fundit të bëjë punën e vet, të shikojmë reagimin e opinionit botëror, a do të jetë ai pro apo kundër nesh, do të jetë i ftohtë, i vakët apo i nxehtë. Të presim edhe reagimin jugosllav. Mbasandaj mund të arrijmë në një konkluzion.

Atë çka thashë për Republikën Federale të Gjermanisë, për shembull, e thashë në bazë të reagimeve që patën atje dy artikujt e parë. Tani të shikojmë çfarë reagimesh të tjera do të ketë pas artikullit të fundit. Por mbrëmë lexova një artikull që ishte shumë i mirë dhe më duket se ishte shkruar në një mënyrë të tillë, që të linte të kuptoje sikur autori i shkrimit shtronte mendimet e veta dhe nuk e kishte lexuar artikullin tonë. Por unë krijova bindjen se ai e ka lexuar atë dhe se me qëllime të caktuara nuk e përmend. Kjo është një manovër diplomatike. Ne, pra, duhet t’i kuptojmë këto gjëra dhe jo të ecim kuturu. Kështu, pasi të kemi arritur në konkluzione të sakta për këto qëndrime të favorshme, duhet të gjejmë cili nga ambasadorët tanë ka, për shembull, lidhje me gjermano perëndimorët.

Me ta kanë lidhje të gjithë, por veçanërisht lidhje më konkrete, më duket, ka ambasadori ynë në Vjenë ku, siç dihet, trajtohet edhe çështja e dëmshpërblimeve. Ne në artikullin tonë të fundit, duke u shprehur se ka vetëm një popull e një komb gjerman, qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë i dhamë një sinjal të butë dhe pamë se kjo u vu në dukje menjëherë atje. Domethënë në Gjermaninë Perëndimore krijuam, siç po duket, një atmosferë dashamirëse ndaj vendit tonë, që mund të ketë edhe pasoja politike jo vetëm në mbrojtjen e çështjes sonë aktuale kundrejt jugosllavëve, por edhe për çështjen e dëmshpërblimeve. Atëherë, ashtu siç thotë francezi decemmentt, ambasadori ynë, në një takim të rastit që mund të ketë me ambasadorin gjerman, i’a hap këtë çështje pa pasion, por duke i thënë afërsisht: Kemi konstatuar se shtypi juaj ka shkruar me dashamirësi për çështjen e Kosovës dhe për qëndrimin tonë lidhur me të, dhe, megjithëse nuk kemi relata aq të mira me ju, këtë gjë e kemi çmuar si një gjykim realist të shtypit të Gjermanisë Perëndimore.

Mund të mos jetë kështu, të vazhdojë ambasadori ynë, por unë kam arritur në përfundimin se, pavarësisht nga mosmarrëveshjet që kemi midis nesh, rreth kësaj çështjeje edhe qeveria e Bonit mendon realisht dhe shikon se veprimet e jugosllavëve janë shumë të gabuara dhe këtë e bën jo për hatrin tonë, por për interesin e përgjithshëm të paqes në Evropë. Ne, nga ana jonë, mendimet rreth këtyre ngjarjeve dhe qëndrimit të jugosllavëve i kemi shprehur deri tani në tre artikuj. Dhe të vazhdojë: Pavarësisht nga mosmarrëveshjet, marrëdhëniet dhe bisedimet midis nesh kanë qenë kurdoherë miqësore, prandaj ju flas hapur dhe, nëse ju dëshironi, zoti ambasador, mund t’jua jap artikullin tonë të fundit. Por, do t’ju lutem, e lexoni me kujdes të madh dhe arsyetoni realisht rreth qëllimeve të vërteta të Qeverisë sonë.

Aty ne mbrojmë vëllezërit tanë kosovarë që janë në shumicë, mbrojmë Federatën Jugosllave, mbrojmë edhe paqen në Evropë. Udhëheqja jugosllave nuk dëshiron ta shikojë këtë çështje kështu. Në artikull ne japim edhe mënyrat dhe rrugët se si duhet të zgjidhet kërkesa e popullit të Kosovës dhe kush duhet ta zgjidhë atë. Kosova nuk mund të qetësohet, ashtu siç mendojnë qeveritarët jugosllavë. Përkundrazi, në rast se nuk merren disa masa, ajo do të bëhet një gangrenë e rrezikshme. Haptazi themi ne se udhëheqja serbe nuk dëshiron ta gjejë rrugën e drejtë të zgjidhjes dhe kjo do t’i shkaktojë dëme të mëdha vetë Federatës Jugosllave, gjë të cilën ne nuk e duam. Prandaj këtu duhet të ndërhyjë dikush tjetër. Lexojeni artikullin tonë dhe do të shikoni se ne aty bëjmë diferencime.

Për shembull, ne e kuptuam zotin Dolanc, kur foli herën e parë dhe me të drejtë tha se ne nuk kishim marrë pjesë në ngjarjet e Kosovës. Ai ishte i sigurt për atë që tha atëherë. Në të njëjtën kohë edhe neve na jepte të kuptonim se duhej të mos flisnim. Ne, të vazhdojë të thotë ambasadori ynë, e kuptuam këtë dhe nuk folëm. Por Dolancin nuk e kuptuan shokët e tij. Ata filluan sulmet e ashpra e të vazhdueshme kundër nesh, prandaj u detyruam t’u përgjigjeshim atyre. Pas gjithë këtyre gjërave që ngjanë, në artikullin e fundit ne përsëri themi se dimë të gjykojmë me gjakftohtësi e të bëjmë diferencime dhe këto diferencime po i bëjmë. Ne mendojmë se për ngjarjet aktuale dhe për kërkesën e drejtë të popullit të Kosovës dikush duhet të reflektojë me gjakftohtësi, që ato të zgjidhen drejt, popullit të Kosovës t’i jepen të drejtat që kërkon dhe kjo në rrugë të drejtë. Udhëheqja e Serbisë këtë gjë nuk dëshiron ta bëjë. Si rezultat punët do të acarohen.

Kështu ambasadorit gjerman ne nuk i themi drejtpërsëdrejti të ndërhyjë qeveria e Bonit, as dikush tjetër. Unë, t’i thotë ambasadori ynë, flas me ju si koleg, sepse, siç ju thashë, konstatoj se Gjermania Perëndimore i shikon drejt këto probleme. Ne mendojmë se çështja duhet të zgjidhet ashtu siç e kërkojnë kosovarët. Ne deklarojmë haptazi se të drejtat e kosovarëve, që dikush ua mohon dhe i shtyp, do t’i mbrojmë. Me sharje, me slogane dhe me demonstrim të forcës, me mbylljen e universitetit, me gjyqe false, që dihet pse bëhen, nga cilët e për ç’qëllime bëhen, kjo çështje nuk zgjidhet. Por në Jugosllavi duhet të ketë njerëz, të cilët kanë autoritet dhe këtë autoritet ata duhet ta përdorin për të mirën e Federatës së Jugosllavisë. Këtë e kemi thënë sinqerisht dhe ne as nuk flasim, as nuk jemi me dy faqe. Ne e themi të vërtetën haptazi, ja, kështu siç po flas tani me ju, edhe pse, siç ju thashë që në fillim, nuk kemi marrëdhënie aq të mira me ju, por e bëj sepse për këto probleme nga ana juaj shoh një logjikë të drejtë e në interes të paqes në Evropë.

Ne ndjekim, gjithashtu, me vëmendje edhe qëndrimin që mban kancelari Shmid në lidhje me politikën e përgjithshme në mes Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pse ta fshehim këtë. Prandaj po jua themi, dhe ju duhet ta dini, që ne jemi në rrugë të drejtë dhe nuk ka kush të na lëkundë nga kjo rrugë. Ne nuk kemi frikë nga askush, pra as nga jugosllavët. Kur shprehemi se nuk duam që Federata të prishet, këtë nuk e duan as kosovarët dhe, besojmë, nuk e doni as ju. Ambasadori gjerman mund t’i thotë ambasadorit tonë: Pse m’i thua këto gjëra mua? — Jua them, — t’i përgjigjet ambasadori ynë, — për të sqaruar pozitën tonë dhe, e përsëris, ia them një ambasadori, me të cilin kam pasur bisedime për probleme që ende nuk po zgjidhen, megjithëse ne kemi të drejtë për to, pse shoh që shtypi juaj këtë çështje e shikon me dashamirësi. — Po ç’mund të bëj unë? — ndoshta do t’i thotë përsëri gjermani. — Nuk e di, — t’i përgjigjet shoku ynë. — Unë vetëm si përfaqësues i Shqipërisë po ju them disa çështje, po jua ritheksoj ato, se për të thënë ato i ka thënë e i ka shtruar mirë artikulli i gazetës sonë./Memorie.al

Vijon në numrin e ardhshëm

The post Zbardhet ditari i Enver Hoxhës: Disa nga profesorët tanë që kanë mbajtur leksione në Universitetin e Prishtinës dhe një grup i TV shqiptar të bëjnë… appeared first on Zonë E Lirë.

- Advertisement -

Most Popular